Në kodrat e Lundrës, pranë Tiranës, ku dikur shtrihej një kënetë e begatë, natyra ka lënë një trashëgimi të pasur që ngjall kujtimet e një kohe pa kohë. Sipas legjendës, në majat e këtyre kodrave ankoroheshin lundrat e banorëve të hershëm. Pasi uji u tërhoq la pas këto toka pjellore, ideale për kultivimin e rrushit të cilësisë së lartë. Ky rrëfim lidhet në mënyrë të përkryer me frymëzimin për logon e Kantinës Lundra, ku lundërtari mbi një lundër simbolizon jo vetëm lidhjen me historinë dhe gjeografinë e zonës, por edhe mbart në kohë lidhjen dhe përkushtimin ndaj tokës me begatitë e saj, që ne përkujdesemi në mënyrë artizanale të trupëzojmë verërat e shkëlqyera që shijohen sot.
Kjo histori e mbushur me traditë dhe legjendë përkon me pasionin dhe punën e familjes Tufa për kultivimin e rrushit dhe prodhimin e verës. Babai jonë i ndjerë Xhevdet (Xhoda) Tufa, themeluesi i kantinës, hodhi bazat e ndërmarrjes si punishte, menjëherë pas rënies së sistemit drobitës komunist, me trashëgimin e vreshtave të kooperativës shtetërore punuar me aq mund nga vetë Xhoda dhe banorët, madje duke i mbrojtur edhe nga kërcënime të reja me sistemin e ri. Me sakrificë, përkushtim dhe dashuri për tokën, Xhoda kultivoi këtë art të veçantë dhe ia përcolli fëmijëve të tij, të cilët më vonë e transformuan nga punishte familjare në një kantinë me standarde moderne.
Në dekadën e fundit, djali i dytë i Xhodës, së bashku me vëllezërit, miqtë dhe partnerët e tyre më të mirë, ndërtuan dhe konsoliduan Kantinën Lundra si një nga më të denjat sot, në Ballkan dhe më tej.
Në këtë anë të Shqipërisë, ku dielli përkëdhel çdo kokërr rrushi dhe era ledhaton vreshtat e begatë, familja Tufa ka kultivuar dhe ruajtur për katër breza artin e kultivimit të varieteteve autoktone të rrushit, si Sheshi i Zi dhe Sheshi i Bardhë. Përveç këtyre, Kantina Lundra kultivon edhe një gamë të gjerë varietetesh ndërkombëtare, duke përfshirë Teroldego, Chardonnay, Muskat Ottonel, Syrah, Cabernet, Merlot dhe Solaris. Duke përfituar nga bashkëpunimet me mjeshtra nga kantina të mirënjohura evropiane në Francë dhe Itali, kantina ka adoptuar standardet më të larta dhe ka integruar praktikat më të mira në prodhimin e verës.
Sot, Kantina Lundra është më shumë se një prodhues vere. Ajo përfaqëson një testament të gjallë të një ëndrre të realizuar, një histori dashurie për tokën dhe traditën, që jeton në çdo gotë që ofrojmë. Me krenari për të kaluarën dhe një sytë kthyer drejt së ardhmes, ne jemi të përkushtuar për të vazhduar këtë trashëgimi të çmuar, duke ofruar verëra që pasqyrojnë pasionin dhe dedikimin e familjes Tufa ndaj artit të verës.